Për të dytin vit radhazi, Shqipëria ktheu sytë e të gjithë Europës, por edhe më gjerë, mbi të. Organizimi i Samitit të Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE, i cili ndodhte për herë të parë, ishte një event që përveç të tjerash, mbante një peshë të konsiderueshme nga pikëpamja e krijimit të një mjedisi të sigurtë për të gjithë pjesëmarrësit në këtë aktivitet.
Në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e vendit, të dedikuara për organizimin e Samitit, dhe sidomos me Policinë e Shtetit, Garda e Republikës siguroi 31 delegacione, pjesëmarrëse në Samit, gjatë të gjithë qëndrimit të tyre në vend. Për sigurinë e delegacioneve u angazhuan rreth 729 punonjës të të gjitha niveleve, nga të gjithë sektorët. Shërbimet e sigurisë të realizuara nga Garda përfshinë sigurinë e drejtpërdrejtë fizike të liderëve që morën pjesë në Samit, së bashku me delegacionet shoqëruese gjatë gjithë lëvizjeve të tyre, që prej pritjes në aeroport e deri në largimin nga Shqipëria, në rrugë tokësore apo ajrore; sigurinë e ambienteve si hotelet në të cilët u akomoduan delegacionet, të piramidës në të cilën u zhvillua aktiviteti apo edhe të të gjithë ambienteve të tjera përreth perimetrit të aktivitetit; kontrollin e eskortave me ekspertë xhenier përpara çdo nisjeje të tyre për të shoqëruar personalitetin e anëtarët e delegacioneve, sikurse kontrollin me pajisje xheniere dhe qen për identifikimin e pajisjeve eksplozive në ambientet përreth kryerjes së Samitit.
Po ashtu, në hyrje të perimetrit të Samitit, u krye kontrolli i çdo personi të akredituar për të patur akses në ambientet e dedikuara të tij, me skaner dhe urë detektore. Për të krijuar një panoramë të qartë të funksionimit të sigurisë, u krye një takim i posaçëm me Protokollin e Shtetit, me pjesëmarrës të përfaqësive diplomatike të vendeve pjesëmarrëse në Samit, në të cilin u shpjegua qartë dhe në mënyrë grafike siguria e liderëve të tyre mbi masat e marra nga Garda e Republikës, që prej mbërritjes, shoqërimit në ditën e eventit, e deri në largimin nga vendi. Po ashtu, në vijim të këtij takimi u realizua një i dytë me përgjegjësit e grupeve të sigurisë së delegacioneve në ambientet e Gardës, ku u pasua me dy takime në terren për të shpjeguar çdo masë sigurie në mënyrë konkrete. Vlen të theksohet se megjithë aktivitetin e ngjeshur dhe angazhimin e rreth 50% të forcave të sigurisë së Gardës në mbarëvatjen e Samitit, nuk u lanë jashtë vëmendjes as shërbimet e tjera të sigurisë, të cilat vijuan punën normalisht si çdo ditë tjetër të vitit.
Për kryerjen e shërbimeve me shumë përkushtim, korrektesë dhe profesionalizëm, që prej mbërritjes së delegacionit të parë që ishte ai i Maqedonisë së Veriut deri tek i fundit që u largua, ai i Francës, Drejtori i Përgjithshëm i Gardës, Gramos Sako i falenderoi të gjithë punonjësit që morën pjesë në këtë shërbim kaq impenjativ dhe me përgjegjësi të lartë.
Në përfundim të të gjithë aktivitetit, që për nga përmasat kërkonte një angazhim shumë herë më të lartë se sa e zakonshmja, si nga pikëpamja logjistike, ashtu edhe nga ajo e burimeve njerëzore, vlen të theksohet fakti se Garda e Republikës tregoi edhe njëherë vlerat e saj të pamohueshme si një institucion sigurie që ecën nën gjurmët e homologëve të saj ndërkombëtarë.