Garda e Republikës 95 vite!

Të nderuar punonjës të Gardës së Republikës,
Të nderuar ish punonjës,

Dëshiroj të nis këtë mesazh urimi me një falenderim special për të gjithë ata ish punonjës ndër vite, pa të cilët nuk do të kishte të tashme. Mirënjohje pafund për ta, të cilët me sakrificë, me vullnet e me përkushtim kontribuan në krijimin e historisë 95 vjeçare të Gardës së Republikës. Me respekt, nderim e përulje kujtojmë edhe ata, të rënët në krye të detyrës që me sakrificën e pashembullt dhanë jetën pa u kursyer për të përçuar ndër breza vlerat e sakrificës. Faleminderit edhe ju që vijoni të vini gurët në themelet e institucionit për të përmbushur misionin e për të çuar para rrugëtimin e nisur në vitin 1928.
Sot, më 24 Qershor, kemi fatin të kremtojmë sukseset e arritura por edhe të kthejmë vështrimin prapa, aty ku nisi gjithçka. Kemi privilegjin të jemi dëshmitarë të një historie të shkruar mes sfidash, vështirësish, por padyshim të një historie të arrirë e që na bën të ndjehemi krenarë. Në metamorfozën e Gardës, ekzistenca e së cilës dokumentohet në shkrime të autorëve vendas e të huaj, duke ndryshuar gjatë rrjedhës së historisë herë emërtim e herë status apo strukturim, çka mbeti pa ndryshuar është filozofia e saj në besnikërinë absolute ndaj detyrës, e cila shërben edhe sot si çertifikata e lindjes në të cilën mbështesim progreset tona.
Sot, Garda është në nivelet bashkëkohore me strukturat homologe, duke i dhënë asaj një frymë të re bashkëpunimi me institucione elitare e mbi të gjitha duke vlerësuar dhe duke i dhënë dinjitetin e duhur punonjësit të Gardës. Arritjet e kohës janë të shumta, por ndër to mund të përmenden ato, të cilat na bëjnë të ndjehemi krenarë, si për shembull reformimi rrënjësor i kuadrit ligjor, iniciimi i një bashkëpunimi me Karabinierinë Italiane nëpërmjet nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit, mbështetja e vlerësimi nga personalitete të vendit, por edhe nga radhët e delegacioneve të huaja, përmirësimi i trajtimit financiar të të gjitha niveleve të punonjësve, besimi i organeve ligjzbatuese e të rëndësishme në seriozitetin e punës sonë, e të tjerë. Këto arritje na shërbejnë si motiv, për të bërë më mirë nesër dhe në të ardhmen më të largët.
Kohët në të cilat jetojmë janë plot me perspektiva, por edhe, si gjithmonë, me të panjohura. Megjithatë, shqetësimet nuk duhet të mbizotërojnë mbi besimin. Për këtë arsye, Garda ndjen një përgjegjësi të lartë për të vazhduar mbrojtjen e vlerave themeluese të saj, të cilat janë shpirti i përparimit të institucionit.
Në këtë përvjetor, falënderimet e mia të fundit shkojnë për të gjithë mbështetësit e Gardës së Republikës, për besimin dhe dashamirësinë që na japin edhe në ditët e vështira.
E kështu, në përmbyllje të mesazhit të rastit, dëshiroj të risjell në vëmendje, formulën e betimit “Si pjesëtar i Gardës së Republikës, betohem se do të jem besnik i popullit tim, trim, i disiplinuar, se do të zbatoj kërkesat e Kushtetutës e të ligjeve dhe do të jem i gatshëm përherë, duke mos kursyer as jetën për kryerjen e detyrës. Ndëshkimi më i rëndë i ligjeve le të më jepet, nëse shkel këtë betim solemn! Betohem!”, e cila duhet kurdoherë të na shërbejë si lejtmotiv për tu zotuar solemnisht se do të përpiqemi bashkërisht, çdo ditë të punës sonë, të çojmë përpara vlerat e vyera të Gardës, për të bërë krenarë brezat e së ardhmes.
Jetë të gjatë për Gardën e Republikës! Ta gëzoni festën e krijimit të saj!

DREJTORI I PËRGJITHSHËM
Drejtues Madhor Gramos SAKO