VIZITA ZYRTARE E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM NË ROMË

Me ftesë zyrtare të Drejtorit të Përgjithshëm të Armës së Karabinierisë Italiane, Gjeneral Madhor Teo Luzi, Drejtori i Përgjithshëm i Gardës, Drejtues Madhor Gramos Sako mori pjesë në ceremoninë e celebrimit të 209 vjetorit të themelimit të Armës së Karabinierisë Italiane.

Kjo ftesë vjen si rezultat i fillimit të bashkëpunimit për herë të parë të Gardës së Republikës me forcat e Karabinierisë italiane, e cila u konkretizua me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit në datën 30 Maj 2023.

Dita e parë e vizitës u çel me darkën e mirëseardhjes, në të cilën 17 delegacionet pjesëmarrëse nga e gjithë bota si, Portugalia, Spanja, Moldavia, Algjeria, Meksika, Afrika e Jugut e të tjerë, patën mundësinë të njiheshin e të mikpriteshin nga Gjeneral Teo Luzi dhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Forcës së Karabinierisë, Gjeneral Maurizio Mezzavilla.

Në ditën e dytë, delegacionet vizituan Qendrën Ndërkombëtare të Ekselencës për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Kujdesin për Territorin, Sabaudia. Kjo qendër shërben si stacionim për zhvillimin e kurseve dhe takimeve ndërkombëtare, të cilat kanë për qëllim përhapjen e politikave të qeverisjes mjedisore.

Mbrëmjen e datës 5 Qershor u kremtua 209 vjetori i krijimit të Armës së Karabinierisë, brenda kazermës “Salvo D’Acquisto” në Tor di Quinto, e cila u mirëprit nga Komandanti i Përgjithshëm i Armës së Karabinierisë Gjeneral Madhor Teo Luzi. Të pranishëm në këtë event ishin edhe personalitete të larta shtetërore të shtetit Italian si Presidenti i Senatit të Republikës Z. Ignazio La Russa, Presidenti i Dhomës së Deputetëve, Z. Lorenzo Fontana, Presidenti i Këshillit të Ministrave, Znj. Giorgia Meloni e të tjerë. Ceremonia, u hap në orën 18.30 me dislokimin e regjimenteve që përfaqësojnë të gjitha organizatat e Armës, duke vijuar me fjalën përshëndetëse të autoriteteve më të larta shtetërore pjesëmarrëse dhe në përmbyllje të ceremonisë performuan në një shfaqje të vërtetë ceremoniale kavaleria.