Garda e Republikës së Shqipërisë së bashku me Armën e Karabinierisë së Ministrisë së Mbrojtjes Italiane konkretizuan ditën e sotme, nëpërmjet nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit, një bashkëpunim të nisur që prej vitit 2020. Ky Memorandum u nënshkrua përkatësisht nga Gjeneral Teo Luzi, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Armës së Karabinierisë Italiane dhe Drejtues Madhor Gramos Sako, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës.
Memorandumi i Mirëkuptimit ka për synim forcimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve në fushën e trajnimit, në përputhje me procedurat standarde ndërkombëtare dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në lidhje me detyrat institucionale. Për më tepër, vlen për t’u theksuar se nëpërmjet këtij memorandumi Garda e Republikës i hap dyert punonjësve të saj për të zhvilluar një horizont të ri, që lidhet me pjesëmarrjen në konferenca, seminare dhe veprimtari kërkimore shkencore në kuadër të fushës së veprimtarisë institucionale.
Nënshkrimi i këtij memorandumi është një arritje e Gardës së Republikës, realizuar pas takimeve të njëpasnjëshme zyrtare, i cili tashmë shërben si një urë e re bashkëpunimi, e ndërtuar me një nga institucionet perëndimore me një eksperiencë tepër të suksesshme në fushën e sigurisë.