Më datën 12 Janar 2018 Komandanti i Gardës, Gjeneral Gramos SAKO dhe Ambasadorja e Kinës në Shqipëri Jiang Yu zhvilluan një takim në kuadër të bashkëpunimit bilateral. Në këtë takim ishte po ashtu i pranishëm këshilltari ekonomik dhe tregtar i ambasadës kineze Lian Gang.
Takimi konsistonte në ndihmën e pakursyer që Republika Popullore e Kinës me përfaqësinë e saj në Shqipëri po jep për Gardën e Republikës. Të dy palët kanë vendosur të vazhdojnë zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e modernizimit të pajisjeve të stërvitjes, me objektiv përmirësimin e kushteve të stërvitjes së përditshme për stafin e Gardës, shtoi kryediplomatja kineze në Shqipëri.
Komandanti i Gardës së Republikës, z. Gramos Sako, vuri në dukje se Shqipëria i kushton rëndësi forcimit të marrëdhënieve miqësore me palën kineze dhe dëshiron që, bashkë me palën kineze, të trashëgojë miqësinë tradicionale mes dy vendeve, si dhe të japë kontribut për thellimin e bashkëpunimit bilateral.
Ambasadorja Jiang u shpreh se vizitat e suksesshme të liderëve kinezë në Shqipëri vitet e fundit janë të pandara nga mbështetja e madhe e Gardës së Republikës në fushën e sigurisë. Në kuadër të programit dypalësh të zhvillimit të burimeve njerëzore, që filloi vitin e kaluar, një pjesë e stafit të Gardës së Republikës së Shqipërisë ka shkuar në Kinë për zhvillimin e shkëmbimeve, gjë që ka nxitur ndërveprimin midis Kinës dhe Shqipërisë në fushën e sigurisë.
Duke qenë besimplotë se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen në fund të takimin u nënshkrua edhe marrëveshja e rastit.