Në datën 20 Mars 2018 Gardën e Republikës e vizitoi Komisioni i Sigurisë Kombëtare. Fokusi i kësaj vizite ishte njohja me mjediset, strukturën, punën e Institucionit të Gardës në përgjithësi, shqetësimet apo sugjerimet me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë.
Rreth orës 10, anëtarët e Komisionit të kryesuar nga Kryetarja, Znj. Ermonela Valikaj (Felaj) u pritën nga Komandanti i Gardës në ambientet e Komandës e më pas u akomoduan në sallën kryesore të mbledhjeve për tu njohur më gjërësisht me Misionin dhe punën e Institucionit në tërësi. Pas diskutimeve të mbajtura për rreth një orë, ku në vëmendje u soll edhe vetingu në rradhët e personelit të Gardës së Republikës, u vizituan ambientet e Muzeut të Gardës në kuadër të përafrimit të 90-vjetorit të krijimit të Gardës.
Komandanti së bashku me 10 anëtarët e Komisionit u drejtuan më pas për në Njësinë Speciale e për tu njohur me një ditë të zakonshme pune të personelit të kësaj njësie dhe me rikonstruksionin e plotë të ambienteve të punës dhe palestrës së Njësisë Speciale.
Në përfundim, anëtarët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe veçanërisht Kryetarja, Znj. Felaj, shprehën vlerësime pozitive për punën e kryer nga ana e Gardës. Ndërkohë, premtuan mbështetjen e tyre për infrastrukturën ligjore, mbështetjen me logjistikë dhe financiare.