Drejtori i Përgjithshëm

Me urdhër të Kryeministrit, në krye të Gardës së Republikës, me gradën Drejtues Madhor, është emëruar zoti Ermal Onuzi.

Zoti Onuzi ka kryer studimet e larta ushtarake në Itali, në “Akademinë Ushtarake, Modena” dhe në “Shkollën e Specializimit të Oficerëve, Torino” si dhe është diplomuar në Universitetin e Torinos për “Shkenca Strategjike”, Master Shkencor.

Pas përfundimit të studimeve, nga viti 2003 deri në vitin 2005 ai ka qenë pjesë e Batalionit të dytë të këmbësorisë, Brigada e Reagimit të Shpejtë, me detyrën e Komandantit të Togës. Në vitin 2005, është emëruar në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) në Ministrinë e Mbrojtjes dhe më pas, në vitin 2009, është transferuar në Shërbimin Informativ të Shtetit, ku ka shërbyer në detyra të ndryshme.

Në vitin 2022, është emëruar Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM). Më pas, për rreth një vit ka punuar në sektorin privat duke mbajtur funksionin e Drejtorit Operacional të Kompanisë S2 Secure Albania, me fushë përgjegjësie përgatitjen e politikave të sigurisë, protokolleve dhe procedurave që lidhen me sigurinë aeroportuale.

Gjatë karrierës, ai ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh në fushën e sigurisë, të kryera në institucione prestigjoze ndërkombëtare, si; Programi mbi terrorizmin dhe studimet e sigurisë, të zhvilluar në Qendrën Europiane të Studimeve për Sigurinë “Geroge Marshall” në Gjermani; Trajnimi për pjesën strategjike dhe operacionale për armët e shkatërrimint në masë në operacionet detare, e organizuar nga Qendra e Trajnimit të NATO-s në Kretë, Greqi; Programi për përgjigjen gjithpërfshirëse të sigurisë ndaj terrorizmit, i organizuar nga Qendra për Studimet e Sigurisë për Azinë dhe Paqësorin në Hawai, SHBA; Trajnimi për menaxhimin e mbrojtjes në kontekstin e gjerë të sigurisë, i organizuar nga Akademia e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, etj.

Zotëron shumë mirë gjuhët e huaja anglisht dhe italisht.