Drejtori i Përgjithshëm pret në takim Shefen e Sigurisë së Ambasadës së SHBA

Ditën e sotme, Drejtori i Përgjithshëm, Drejtues Madhor Ermal Onuzi, priti në një takim zyrtar Shefen e Sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, në Tiranë, znj. Kethryn Hammond, në ambientet e Gardës së Republikës.

Në fokus të këtij takimi ishte vijimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit mes Gardës së Republikës dhe ambasadës. Znj. Hammond shprehu kënaqësi për vijimin e bashkëpunimit me Drejtorin e Përgjithshëm të Gardës dhe ishte besimplotë që nën frymën e këtij bashkëpunimi, Garda do të ketë mundësi të zhvillojë më tej kapacitetet e saj.

Përgjatë takimit u bisedua për mundësinë e zhvillimit të trajnimeve për punonjësit e Gardës nga eskpertë të sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shefja e Sigurisë nuk anashkaloi dhe përgëzoi Drejtues Madhor Ermal Onunzin për sigurimin e Kryetares së Kuvendit përgjatë zhvillimit të seancës së tensionuar parlamentare të datës 3 Tetor. “Jemi habitur nga mënyra se si u sigurua Kryetarja e Kuvendit në seancën paralementare të datës 3 Tetor, kur të gjithë prisnin që ajo të zbriste nga makina dhe ndërkohë ajo u sigurua nga shërbimi i sigurisë që të futej në një tjetër mënyrë. Ju përgëzoj vërtetë për këtë”- tha znj. Hammond.

Drejtori i Përgjithshëm ndër të tjera shtoi: “Garda e Republikës, aktualisht po i nënshtrohet një procesi transformimi dhe pikësynimi ynë është që shërbimi i sigurisë të ngrihet në një tjetër nivel, në atë të sigurisë inteligjente. Për këtë, do të ishte e nevojshme edhe ndihmesa e homologëve tanë, veçanërisht e juaja, duke marrë parasysh eksperiencën tuaj në fushën e sigurisë”.

Ajo që u theksua në këtë takim ishte nevoja për trajnime të stafit të Gardës së Republikës, me një vizion më inovativ duke patur në konsideratë edhe sfidat globale në fushën e sigurisë, por pa lënë mënjanë edhe mbështetjen financiare të domosdoshme për arritjen e këtyre objektivave.

Në fund të takimit, të dy palët shprehën gatishmërinë për të filluar sa më parë fazën e zbatimit të të gjitha ideve mbi përmirësimin e nivelit të sigurisë së ofruar nga Garda e Republikës, si pjesë kyç e sistemit të institucioneve të sigurisë kombëtare.