Garda e Republikës edhe këtë vit shtriu dorën e ndihmës duke u bërë pjesë e një fushate humanitare të rëndësishme “Dhurimi i gjakut”.
Nën moton “Dhuro gjak – Shpëto jetë”, kjo iniciativë synon të ndihmojë ata që kanë më shumë nevojë, duke siguruar rezerva jetike për ata që i nevojitet gjaku në mënyrë permanente dhe kontribuar në shpëtimin e jetëve të njerëzve në situata kritike. Duke qenë një institucion i përkushtuar ndaj nismave sociale, Garda e Republikës jo vetëm që përkujdeset për të kryer misionin e saj, por edhe e dëshmon këtë përgjegjësi sociale. Çdo punonjës që dhuron gjak, përcjell një mesazh të fortë solidariteti, humanizmi dhe shprese. Dhurimi i gjakut kërkon vetëm disa minuta angazhim nga jeta e dhuruesit por mund të rezultojë një jetë më shumë.
Këtë vit, fushata e dhurimit të gjakut u zhvillua në ambientet e Gardës për dy ditë radhazi. Iu bashkuan fushatës të dhurimit vullnetar 30 punonjës.
Garda e Republikës mbetet kurdoherë e gatshme për t’iu bashkuar iniciativave të tilla sepse të shpëtosh jetë është detyrë e çdo qytetari dhe Garda po e kryen këtë detyrë me krenari.