Garda e Republikës zhvilloi sot analizën vjetore të punës për vitin 2024. Të pranishëm në këtë takim, nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm, ishin drejtuesit kryesorë të strukturave.
Fjalën e tij të rastit, Drejtues Madhor Ermal Onuzi, e nisi duke falënderuar secilin prej drejtuesve dhe të gjithë punonjësit për profesionalizmin e treguar në përmbushjen e misionit të Gardës.
“Pasqyrimi i ecurisë vjetore të punës së Gardës së Republikës është një moment shumë i rëndësishëm për institucionin, sepse reflekton etapat e sfidave e të rritjes profesionale, por edhe të konsolidimit të praktikave të punës për të siguruar rezultatin maksimal, si pjesë e përpjekjes së të gjitha institucioneve shtetërore të sigurisë për përmbushjen e misionit të përbashkët. Padyshim, në këtë rrugëtim hasesh me pengesa, por diferencën e bën vullneti e përgjegjshmëria për të çuar përpara detyrën e për të ndërtuar një model pune me standarde, që do i rezistojë viteve e do i shërbejë sistemit të zinixhirit të kontributorëve për ruajtjen e një klime të sigurtë në vend dhe pasardhësve në këtë institucion” – tha në fjalën e tij Drejtori i Përgjithshëm. Më tej, Drejtues Madhor Onuzi, u ndal në sfidat që Garda, ashtu sikurse edhe institucione të tjera të zinxhirit të sigurisë kombëtare, hasën përgjatë 2024. Në këtë aspekt, Drejtori citoi ndër të tjera: “Në një mjedis ku kërcënimet globale janë përherë të pranishme, edhe përgjegjësitë tona evoluojnë me shpejtësi. Të gjithë ne, institucionet e sigurisë, jemi në një sfidë të vazhdueshme për shkak të rritjes së kompleksitetit të sigurisë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar; Sfidë përgjatë vitit kemi hasur edhe sa i përket burimeve njerëzore dhe logjistike për të mbuluar kërkesat në rritje, por kjo nuk na ka penguar të përmbushim detyrat tona. Duke ecur në hapin e kohës, edhe Garda shpesh përqafon teknologjinë e re, duke përfshirë në punën e saj të përditshme modernizimin e pajisjeve që i shërbejnë kryerjes së detyrave. Sfidues në këtë drejtim është adaptimi dhe trajnimi i vazhdueshëm i punonjësve për të qenë në hap me zhvillimet.”
Më tej, Drejtori i Përgjithshëm u ndal edhe në objektivat kryesore në të cilat Garda e Republikës synon t’a fokusojë veprimtarinë e saj, që lidhen kryesisht me rritjen e kapaciteteve profesionale, modernizimin teknologjik, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimin e kushteve të punës.
Në përfundim të fjalës së tij, titullari i Gardës së Republikës theksoi sërish se bazuar në treguesit analitikë të punës, institucioni dëshmoi edhe një herë kapacitetet dhe përvojën profesionale, duke krijuar besim të plotë tek homologët ndërkombëtarë. “E padyshim se çdo sukses institucional i shënuar është fryt i punës së palodhur, përkushtimit dhe disiplinës që së bashku kemi treguar çdo ditë, e që do përpiqemi të përmirësojmë përgjatë 2025. Në përmbyllje, dua të theksoj se çdo sukses i Gardës së Republikës është rezultat i përpjekjeve të secilit prej jush. Përgjegjësia që mbartim është e madhe, por edhe krenaria për të shërbyer nën flamurin tonë është e jashtëzakonshme. Së bashku, me profesionalizëm dhe përkushtim, do të vazhdojmë të mbrojmë sigurinë dhe dinjitetin e shtetit tonë. Faleminderit për punën tuaj të palodhur dhe përkushtimin tuaj të jashtëzakonshëm! Së bashku, le të ecim drejt një të ardhmeje edhe më të sigurtë” – e përmbylli fjalimin e tij Drejtues Madhor Ermal Onuzi.
Raportimi i përmbledhjeve të raportit, mbi arritjet e punës për vititn 2024 dhe objektivat e paravendosura për vitin 2025, u realizua nga Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit dhe Koordinimit, Z. Arian Sopiqoti.