Në përfundim të gjashtëmujorit të parë të vitit u zhvillua sot analiza periodike e punës së deritanishme me strukturat.
Në këtë retrospektivë u analizuan arritjet e objektivave, duke evidentuar pikat e forta, ku padyshim kryefjala ishte mbarëvajtja e suksesshme e Samiteve të muajit Shkurt 2024, sa i përket aspektit të sigurisë. Po njëlloj në vëmendje, ishte evidentimi i punës në procesin e realizimit të detyrave konkrete dhe synimeve të shprehura qartë në programin e veprimtarive kryesore të Gardës së Republikës.
Në zbatim të urdhrit “Për planifikimin e Veprimtarive kryesore të Gardës së Republikës, për vitin 2024”, të Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës, Drejtoria e Planifikimit dhe Kontrollit përgatiti programin e veprimtarive kryesore të Gardës për vitin 2024.
Fillimviti nisi me marrjen e përgjegjësive të reja në zbatim të Vendimit nr. 597, datë 13.10.2021, të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e personaliteteve dhe objekteve të tjera që ruhen dhe mbrohen nga Garda e Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, nëpërmjet të cilit Gardës iu shtuan në ruajtje edhe objektet e rëndësisë së veçantë si: Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurisë Kibernetike, Salla “VIP” e Aeroportit “Nënë Tereza”.
Më tej, në datat 28-29 Shkurt u zhvilluan dy Samite të njëpasnjëshme, ai i datës 28 “Ukraina – Evropa Juglindore” dhe i datës 29 “Plani i ri i rritjes dhe konvergjencës për Ballkanin Perëndimor”, me pjesëmarrje të 20 delegacioneve të niveleve të larta europiane, duke veçuar këtu edhe vizitën e Presidentit të Ukrainës, z. Zelensky. Për mbarëvajtjen e sigurisë së këtyre dy eventeve, Garda e Republikës bashkëpunoi ngushtësisht me të gjitha strukturat e dedikuara për realizimin e tyre, me institucionet ligjzbatuese si Policia e Shtetit, Protokolli i Shtetit, Forcat e Armatosura, Bashkia e Tiranës, SHISH, Ministria e Shëndetësisë e të tjerë, pa të cilët do të ishte e pamundur krijimi i një mjedisi të sigurtë për pjesëmarrësit e samiteve. Në këto dy Samite u angazhuan 558 punonjës me grada, prej të cilëve 150 punonjës niveli i lartë dhe i mesëm, si dhe 404 punonjës të nivelit bazë.
Në muajin Maj dhe Qershor, u morën masat e sigurisë për ruajtjen dhe mbrojtjen e personaliteteve pjesëmarrëse të vendit dhe të huaja, në Ministerialin e Ministrave të Arsimit “Bologna follow-up grup dhe forumit të politikave globale” dhe në konferencën treditore të Shefave të Shtabit të vendeve të Ballkanit.
Në kuadër të bashkëpunimit të frytshëm dhe për përmbushjen e misionit të institucionit nga punonjësit, Garda e Republikës ka marrë vlerësime zyrtare nga SPAK dhe Protokolli i Shtetit duke shprehur mirënjohje sa i përket mbështetjes, gatishmërisë dhe profesionalizmit të treguar nga punonjësit e sigurisë, përgjatë aktiviteteve të përbashkëta të zhvilluara mes autoriteteve spanjolle dhe atyre shqiptare në vendin tonë, sikurse përgjatë vizitës zyrtare të Presidentes së Republikës së Sllovenisë, Znj. Natasa Musar.
“Përmbushja e misionit të Gardës së Republikës mbetet kurdorherë një prioritet, në zbatim të të cilit ushtrohen veprimtaritë e institucionit e për të cilin do të punohet cilësisht, në mënyrë të pandalshme, me qëllim arritjen e objektivave të paravendosura” – përmbylli fjalën e tij para drejtuesve, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Gardës, Drejtues i Parë Sami Kuti.