Drejtori i Përgjithshëm, Drejtues Madhor Ermal Onuzi, priti sot, në një vizitë zyrtare, në ambientet e Gardës së Republikës, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me stafin e tij, nga struktura të Policisë së Kosovës.
Vizita u zhvillua në kuadër të forcimit të bashkëpunimit të deritanishëm midis dy institucioneve, por njëkohësisht edhe si mundësi për krijimin e urave të reja për zhvillimin e kapaciteteve trajnuese, menaxheriale dhe operacionale.
Kjo ishte vizita e parë e një drejtuesi të lartë të Policisë së Kosovës në Gardën e Republikës dhe do të shërbejë si pikënisje për shkëmbimin e eksperiencave të deritanishme dhe krijimin e praktikave më të mira të përbashkëta, në përmbushje të misionit për garantimin e sigurisë së personaliteteve shtetërore.
Në fjalën e tij Drejtori i Përgjithshëm i Gardës shprehu kënaqësinë dhe privilegjin e mikpritjes së Kolonel Hoxhës dhe delegacionit të Kosovës. “Ky takim është një dëshmi konkrete e marrëdhënieve të shkëlqyera dhe të forta mes institucioneve tona, të bazuara në respektin e ndërsjellë, bashkëpunimin profesional dhe përkushtimin ndaj përmbushjes së misionit të përbashkët në drejtim të ruajtjes së personaliteteve shtetërore dhe objekteve ku ata zhvillojnë veprimtari apo akomodohen. Garda e Republikës e vlerëson këtë vizitë, jo vetëm si një akt protokollar, por mbi të gjitha si një mundësi të vyer për të thelluar bashkëpunimin dypalësh dhe për të shkëmbyer përvojat e praktikat më të mira në funksion të rritjes së kapaciteteve tona operacionale dhe institucionale. Kjo vizitë shërben si një platformë e rëndësishme për të rikonfirmuar angazhimin tonë për të punuar krah për krah, duke ndarë eksperienca dhe duke identifikuar fusha konkrete bashkëpunimi, në interes të misionit të përbashkët. Jam i bindur se ky takim do të rezultojë i frytshëm dhe do të shërbejë si një gur themeli për projektet dhe iniciativat e përbashkëta në të ardhmen”, tha në fjalën e tij të mirëseardhjes Drejtues Madhor Onuzi.
Nga ana tjetër, në fjalën e tij Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës u shpreh plotësisht i gatshëm për forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe njëkohësisht për ndërmarrjen e iniciativave të reja në fushën e trajnimit, në fushën e sigurisë së objekteve ku ushtrojnë veprimtarinë misionet diplomatike duke nisur edhe nga përvoja e Gardës në sigurimin e objekteve shtetërore, sikurse edhe në fushën operacionale lidhur me organizimin e shërbimit të sigurisë 24 orarësh.
Pas takimit, aktiviteti u zhvendos në Njësinë Speciale të Gardës, për të parë nga afër stërvitjen e tyre rutinore. Gjithashtu, ata vizituan edhe disa prej ambienteve të punës së institucionit.
Në përmbyllje të kësaj vizite, Drejtori i Përgjithshëm i Gardës, Drejtues Madhor Ermal Onuzi, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, ritheksuan gatishmërinë që frytet e këtij të takimi të parë, të konkretizoheshin në një të ardhme të afërt.









