Historiku

Fillesat e Gardës

Gjatë historisë së tij, populli shqiptar ka patur kurdoherë një trupë të gatshme dhe të armatosur për të ruajtur dhe siguruar personalitetet shtetërore, krahinore, kuvendore, intelektuale dhe klerikale.

Në historinë e Shqipërisë, natyrisht shekulli i pesëmbëdhjetë do të mbetet “Shekulli i Lavdisë së Madhe”- siç e quan De Rada. Për njëzet e pesë vite radhazi, 1443-1468, Skënderbeu organizoi, drejtoi dhe udhëhoqi njëzet e pesë beteja të mëdha, duke fituar me nder dhe lavdi njëzet e katër prej tyre. Ushtria e popullit të vogël u bë barriera kryesore në mbrojtje të qytetërimit.

Krahas ushtrisë kombëtare, në përbërje të saj në këtë kohë u krijua dhe veproi Garda Pretoriane. Këtë element Fan Noli, në veprën e tij me titull “Historia e Skënderbeut” (Gjergj Kastriotit) Mbretit të Shqipërisë 1412-1468, botuar më 1921, e formulon me emërtimin e Marin Barletit “Praetoria Cohors”.

Në krye të Gardës kanë drejtuar gjeneralët më të talentuar të Skënderbeut si Ajdin Muzaka dhe Gjergj Balsha.

***

Garda, si term përmedet së pari në literaturën historike nga humanisti, studiuesi dhe historiani shqiptar i Mesjetës Marlin Barleti. Ai e përmend termin “Praetoria Cohors” ose “Garda Pretoriane” që Noli e përkthen në shqip “Garda Mbretërore”. Sipas fjalorit të gjuhës së sotme shqipe (fjalor botim i vitit 1980), Gardë do të quhet “Repart i posaçëm, i përbërë nga trupa të zgjedhura ushtarake, që mbahen për të mbrojtur, a për të ruajtur udhëheqësit e drejtuesit e lartë të një vendi; repart i posaçëm që kryen shërbimin e nderit me rastin e pritjes e të përcjelljes së kryetarëve të shteteve të tjera”.

***

Garda në periudhën e Rilindjes Kombëtare

Më 10.06.1878 u krijua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me qëllim mbrojtjen e kufijve shqiptarë nga copëtimi i fuqive të mëdha. Lidhja Shqiptare e Prizrenit është e para organizatë politiko-ushtarake mbarëkombëtare. Ajo kishte një platformë të qartë ideologjike kombëtare, një organizim shtetëror në shkallë kombëtare, por dhe një ushtri të vetën. Në përbërje të saj u krijua edhe një strukturë e veçantë për ruajtjen dhe sigurimin e personaliteteve drejtuese të Lidhjes. Kjo ishte Garda e Rilindjes Kombëtare. Pas përmbylljes së periudhës së Rilindjes Kombëtare, nocioni “Gardë” do të bëhej më i qartë. Më 23 Nëntor 1912, kur Ismail Qemali do të nisej nga Durrësi për në Vlorë, do të përcillej nga një Gardë Ushtarake Nderi, në shenjë respekti dhe për ruajtjen e mbrojtjen e atij Burrë Shteti dhe patriotëve të tjerë, që e bashkëshoqëronin nga Europa për në Shqipëri. Kuvendi i mledhur në Vlorë, i përbërë nga tëtëdhjetë e tre delegatë, shpalli Pavarësinë Kombëtare. Në përbërje të Forcave të Armatosura, të cilat garantonin mbrojtjen dhe sigurimin kombëtar, do të funksiononte dhe një strukturë speciale e emërtuar ”Kavaleri”, e cila do të kishte detyrë të vetme që të shoqëronte pushtetarët e shtetarët, kur ata të lëviznin dhe të kryenin shërbimet ceremoniale. Ky nënrepart i armatosur do të inkuadrohej në strukturën speciale të emërtuar “Garda e Shtetit”. Patrioti Isa Boletini ka meritën e veçantë si organizuesi dhe krijuesi i parë i Gardës Kombëtare në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës.

***

Garda në vitet 1925-1939

Pas shpalljes së monarkisë, ndodhën mjaft ndryshime në Fuqitë e Armatosura të Shqipërisë, të cilat synonin në riorganizimin dhe reformimin e vazhdueshëm të tyre, sidomos në aspektin formal dhe të përmbajtjes së tyre, që u vu re si në ushtri ashtu edhe tek Xhandarmëria, si dy element të Forcave të Armatosura. Për organizimin e ushtrisë dhe xhandarmarisë u kërkua ndihma e instruktorëve të huaj austriakë, anglezë dhe më pas italianë qysh në vitin 1926, çka do të thoshte se FA-të do të krijonin fytyrën e tyre të ngajshme me atë të simotrave perëndimore.

Sipas burimeve arkivore shqiptare, për prezencën e një nënreparti në madhësinë e një “Kompanie të Gardës” me mission mbrojtjen personale të Kryetarit të Republikës, si dhe për qëllime representative, të dhënat dëshmojnë vetëm për fillimin e vitit 1926, kur krijohet edhe Adjutantura e Komandantit të Përgjithshëm. Atëherë, nocioni “Gardë” merr kuptim të qartë, sepse një nga detyrat e strukturës së Adjuntaturës ishte edhe kontrolli i kryerjes së shërbimit të rojes nga Kompania e Gardës. Pranë Gardës qysh në fillim të vitit 1926, hapet një shkollë aspirantësh, çka do të thotë se Garda e Republikës nis të marrë formë të plotë organizative, ashtu sikurse veprimtaria e saj kryehej e organizuar, e drejtuar dhe e komanduar mirë. Po ashtu, rreth kësaj periudhe u zgjerua edhe bashkëpunimi reciprok mes Xhandarmërisë shqiptare dhe Karabinierisë Italiane. Si vijim i drejtpërdrejtë i këtyre masave mund të jetë fakti që një nga aktet e para të Kabinetit Qeveritar, konceptohet dhe zbatohet edhe Dekret-Ligji i dates 24 Qershor 1928, i cili jep Ligjin e Parë Organik të Ushtrisë e të Xhandarmërisë, si bazë për organizimin e ushtrisë. Pikërisht në këtë dekret-ligj theksohet nocioni “Gardë”, nën efektivin e së cilës bënin pjesë:

  • Komanda e Gardës;
  • Një batalion (këmbësorie) garde me 4 kompani;
  • Një bateri artilerije me 4 topa 75/13 mm;
  • Një bandë presidenciale (trupë e orkestrës frymore);
  • Një togë kalorësish, e cila nga studiuese amerikan Bernd J. Ficher quhet “Detashment Kavalerie” dhe shërbente për të shoqëruar A. Zogun kur dilte për shëtitje me kalë.

Në 1 shtator 1928 Shqipëria u shndërrua në “Mbretëri Demokratike Parlamentare dhe e Trashëgueshme”, e kësisoj Garda mori emrin “Gardë Mbretërore”, e cila bënte pjesë në Forcat Tokësore. Në krye të Gardës mbretërore ishte kolonel Hysen Selmani.

Garda gjatë viteve 1944 (rikrijimi i Gardës)

Gjatë Ofensivës së Dimrit 1943-1944 u prish Qendra e Drejtimit dhe e Komandimit të SHPU (Shtabit të Përgjithshëm Ushtarak). Për këtë, u vendos si më i përshtatshëm për vendosjen e tij të re, fshati Panarit, që ndodhej në jug të Vithkuqit, në rrethin e Korçës. Për ruajtjen dhe sigurimin e SHPU dhe drejtuesit e tjerë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, lindi si detyrë ngritja e një strukture të veçantë për ruajtjen dhe sigurimin e tyre. Kështu, më 12 Shkurt 1944, Haxhi Lleshi, me cilësinë e anëtarit të SHPU, komunikoi urdhrin për krijimin e repartit të posaçëm që do të kishte si detyrë “Të siguronte anëtarët e SHPU dhe të Komitetit qëndror”, në krye të të cilit do të qëndronte Komandant Axhem Abazi dhe Komisar Maqo Zoto. Formacioni përbëhej nga 34 partizanë të zgjedhur. Kompania e Ruajtjes së SHPU i merrte detyrat nga shefi i SHPU, në atë kohë Major Spiro Moisiu. 12 Shkurti është njohur si dita e krijimit të Gardës deri në vitin 1993, ku u vendos 24 Qershori i vitit 1928. Gjatë luftës Nacionalçlirimtare, kompania speciale, apo reparti i posaçëm, kishte për detyrë edhe ruajtjen e sigurimin e Misioneve të Huaja të atashuara pranë SHPU.

Garda në vitet 1945 – 1990

Në Mars të vitit 1945, pas riorganizimit të apratit shtetëror, Garda do të emërtohej “Batalioni Special i Shtabit të Përgjithshëm” dhe hyri në përbërje të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit (DMP), por misioni mbeti ai i mëparshmi “Ruajtja dhe sigurimi i personaliteteve të shtetit të ri shqiptar, të porsaorganizuar”. Batalioni kishte në përbërje dy kompani këmbësorie dhe kjo vartësi do të ruhej deri në vitin 1947, pasi në shkurt të këtij viti, reparti do të emërtohej “Garda e Republikës”. Garda do të organizohej në dy kompani; njëra me detyrë ruajtjen e afërt fizike të personaliteteve shtetërore, ndërsa tjetra garantonte ruajtjen e tyre në vendbanimin e përhershëm edhe në vendet e punës.

Gjatë viteve 1951 – 1953, Garda e Republikës fuqizohet edhe më shumë. Në drejtim të saj vijnë oficerë me përvojën e duhur organizative. Në krye të Gardës urdhërohet Avdyl Bizhga.

Në vitin 1951 Garda e Republikës hyri në përbërje të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe detyrat i merrte nga Dega e Gjashtë (Drejtoria e Sigurimit të Shtetit). Kësisoj detyra e saj vlerësohej mjaft e rëndësishme duke iu ngarkuar ruajtja e afërt fizike, ashtu si edhe ruajtja e sigurimi i vendbanimeve dhe i selive të punës të personaliteteve më të larta të shtetit. Gjatë këtyre viteve e deri në Nëntor të vitit 1968, Garda u fuqizua e modernizua dhe numri i efektivit arrinte mbi 600 vetë. Më datën 08.02.1964 Presidiumi i Kuvendit Popullor i akordoi Gardës së Republikës Flamurin Luftarak, si njësi ushtarake më vete. Në vitin 1968, pas denoncimit të traktatit të Varshavës, Garda pësoi një shndërrim strukturor dhe sasior. Nga një batalion këmbësorie që kishte në përbërje deri në këtë kohë, u bënë tre batalione. Gjithashtu, në përbërje të saj ishin dhe katër batalione me rezervistë, të cilët kishin komandë dhe shtab të përhershëm me oficerë. Gjithashtu, në Gardë u krijua dhe komanda e artilerisë. Në vitin 1976, me miratimin e Kushtetutës së re, ndryshoi dhe emërtimi i Gardës; nga Garda e Republikës u quajt Garda e Republikës Socialiste të Shqipërisë.

Më datën 04.02.1984, Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoroi Gardën me “Urdhrin e Flamurit”. Në fillim të viteve nëntëdhjetë, në Vendin tonë ndodhën një sërë shnëdrimesh politike, të cilat sollën ndryshime edhe në Gardën e Republikës. Ndër transformimet më kryesore mund të përmendim vendosjen e gradave ushtarake, depolitizimin e saj dhe përfshirjen e ish Drejtorisë së Dytë brenda strukturës së Gardës, e cila deri në këtë kohë kryente detyrat e ruajtjes dhe sigurimit të afërt të Personaliteteve.

***

Garda pas viteve 1990

Pas diskutimeve të shumta nga Grupi Studimor për njohjen e fakteve e të dokumenteve, Këshilli i Ministrave, me vendimin nr. 562, datë 6.12.1993 gjykoi dhe vendosi se data e krijimit të Gardës së Republikës është 24 Qershori 1928. Kjo datë përkon me dekretligjin e qeverisë shqiptare të asaj kohe (ligj nr. 7602, datë 09.09.1992 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”). Në këtë ligj përcaktohej ndër të tjera misioni dhe detyrat e saj. Ajo emërtohej “Njësi e specializuar Ushtarake” me detyrë “Ruajtjen e Personaliteteve të Larta Shtetërore, Selive dhe Rezidencave Qeveritare të përcaktuara me ligj ose që vendosen me urdhër të Ministrit të Brendshëm”. Gjithashtu, ajo ngarkohet me detyrimin ligjor për ruajtjen dhe mbrojtjen e personaliteteve të huaja që vizitojnë vendin tonë. Përveç të tjerash, Komandanti i Gardës emërohej nga Presidenti i Republikës, pas një propozimi të Kryetarit të Këshillit të Ministrave.

Viti 1997 do t’a vinte Gardën e Republikës përballë sfidave të vështira, ashtu si tërë shtetin e popullin shqiptar. Garda u përball me një sërë sfidash në drejtim të sigurisë së objekteve që kishte në ruajtje. Në të gjitha këto ngjarje, oficerët në të gjitha rolet, por edhe ushtarët i qëndruan besnikë ligjit të Republikës, edhe pse të ndodhur nën trysninë e presioneve të mëdha, nuk pranuan të dorëzoheshin, duke ruajtuar në të njëjtën kohë edhe statusin e depolitizuar të institucionit.

Më 24 Qershor 1998 Garda e Republikës kremtoi 70-vjetorin e krijimit të saj, nga ku u dekorua me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin “Për shërbime të shquara në sigurimin e personaliteteve të larta shtetërore dhe të institucioneve të rëndësishme të shtetit shqiptar. Për ardhetarizëm, gatishmëri e disiplinë të lartë në kryerjen e detyrave”.

Në 22.05.2003 nga Kuvendi i Shqipërisë u miratua ligji nr.8869 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, i cili përcaktonte misionin, organizimin dhe statusin e veçantë të Gardës së Republikës brenda Ministrisë së Brendshme. Në ligj parashikohej se “Garda e Republikës së Shqipërisë është strukturë me status të veçantë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, që ka për Mision ruajtjen dhe mbrojtjen e Personaliteteve të Larta Shtetërore dhe të rezidencave të përcaktuara në këtë ligj”. Nevoja për riformatim rrënjësor dhe qasje të re kah institucioneve homologe të vendeve europiane perëndimore, çoi në miratimin e ligjit 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”.

Ligji i vitit 1992 i Gardës së Republikës

VKM krijimi i Gardës

Garda e Republikës në tërë historinë e saj ka kryer detyrën dhe misionin e saj me vendosmëri dhe besnikëri ndaj ligjeve të Shtetit. Dëshmori i parë i Gardës është Major Llesh Topollaj. Në historinë e saj, Garda e Republikës është drejtuar nga 23 komandantë. Dy prej tyre mbajnë titullin “Hero i Popullit”. Katër komandantë të Gardës kanë mbajtur gradën “Gjeneral Garde”, përfshirë edhe Drejtorin e Përgjithshëm, Z. Gramos Sako.

Drejtuesi i parë i Gardës së Republikës është Kolonel Hysen Selmani (1928-1939). Drejtuesi aktual në detyrë i Gardës së Republikës është Drejtues Madhor Gramos Sako.

Shkrimi i historisë së Gardës së Republikës vijon ende në ditët e sotme…!

© Të dhënat e përdorura në këtë përmbledhje janë e drejtë ekskluzive e autorit Z. Safet N. Ramolli, nga libri me titull “Garda e Shqipërisë”.    

2

Image 2 of 7

1.1

Image 1 of 6

Show All Collapse