Të nderuar punonjës të Gardës së Republikës!
Përfundimi me sukses i shërbimeve të larmishme të sigurisë të kryera gjatë fushatës zgjedhore, më jep kënaqësinë t’ju falenderoj sinqerisht për devocionin, profesionalizmin dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë që treguat në përmbushjen e Misonit të Gardës.
Në mbi një muaj, ju u angazhuat për të kryer detyrat tuaja në kuadër të sigurisë së mbarëvajtjes së të gjithë fushatës, zgjidhët problematikat e lindura në dinamikat e punës suaj kudo ku personalitetet zhvilluan aktivitetin e tyre politik. Performanca e treguar në detyrë, me gjithë ngarkesën e lartë, kushtet jo të favorshme të motit, oraret e zgjatura, na bënë të gjykojmë edhe njëherë se Garda e Republikës është në lartësinë e detyrës që kryen dhe unë si drejtues i saj jam krenar për secilin prej jush.
Tek çdo drejtues i Gardës u reflektuan organizimi dhe drejtimi profesional si dhe tek çdo punonjës përgjegjësia për detyrën, sakrifica e impenjimi maksimal, etika, kultura dhe qytetaria, u shpalos pasioni për detyrën duke parandaluar dhe eleminuar premisën më të vogël që mund të cënonte sigurinë e çdo Personaliteti.
Përmbushja me sukses e detyrave të vështira të kryera nga ju në fushën e sigurisë gjatë fushatës elektorale ishte një sprovë që ballafaqon edhe njëherë Gardën me vështirësitë në kryerjen e Misionit të saj, sa të vështirë aq dhe fisnik. E gjithë kjo sfidë e vështirë kaloi me sukses falë aftësive të secilit prej jush, pavarësisht funksionit apo detyrës që kryeni.
Duke ju falënderuar, ju uroj suksese në sfidat e ardhshme që na presin.
KOMANDANTI
Gjeneral Gramos SAKO