Ditën e sotme, pas përfundimit të konkursit për përzgjedhjen e drejtuesit të Gardës së Republikës, Ministri i Brendshëm, Z. Ervin Hoxha, prezantoi përpara trupës drejtuese të strukturave të institucionit, Drejtorin e Përgjithshëm, Drejtues Madhor Ermal Onuzi.
Gjatë fjalës së mbajtur, Ministri i Brendshëm e nisi me një falënderim për ish drejtuesin e Gardës në këto 11 vite, z. Gramos Sako, nën drejtimin e të cilit Garda pati një sërë transformimesh e reformimesh, e po ashtu një falënderim shprehu edhe për Drejtorin e komanduar, i cili e finalizoi me sukeses drejtimin e saj përgjatë këtyre muajve.
Ministri Hoxha nënvizoi rëndësinë që mbart Garda në zinxhirin e institucioneve të sigurisë dhe rolin po kaq me përgjegjësi që kryen në mbarëvatjen e aktiviteteve të rëndësishme ndërkombëtare që zhvillohen në vend. “Shqipëria ashtu si vitet që lamë pas, do të presë në vijim forume politike të rëndësishme ndërkombëtare. Ndaj duhet angazhimi, që në bashkëpunim edhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese të sigurohet mbarëvajtja e këtyre aktiviteteve” – tha ndër të tjera Ministri.
Ministri i Brendshëm i uroi sukses në detyrë Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës, Drejtues Madhor Ermal Onuzi dhe u shpreh besimplotë se nën drejtimin e tij Garda e Republikës do të çojë përpara reforma të cilat janë të domosdoshme për t’a kthyer trupën e saj në një trupë bashkëkohore dhe elitare.
Pas fjalës së Ministrit, Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës përmbylli takimin me fjalën e tij përshëndetëse, duke u shprehur se “është një nder dhe kënaqësi të drejtosh një institucion kaq të rëndësishëm si Garda e Republikës. Në të ardhmen, na presin sfida të mëdha, të cilat jam i bindur se do t’i kalojmë së bashku”.