Sot, në kuadër të prezantimit me Gardën e Republikës, Ministri i Brendshëm, Z.Sandër Lleshaj, zhvilloi një takim me Komandantin e Gardës, Gjeneral Gramos Sako. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe drejtuesit e të gjitha strukturave. Qëllimi i këtij takimi ishte njohja me arritjet e deritanishme, objektivat për të ardhmen dhe problematikat e hasura gjatë punës së përditshme.
Pas fjalës së rastit të mirëseardhjes që Gjeneral Sako mbajti në nisje të këtij takimi, u shfaq një prezantim i shkurtër disa minutësh për Gardën e Republikës dhe punën e saj të përditshme. Në vijim të takimit u diskutua nga paneli i drejtuesve të strukturave mbi nevojat e punonjësve dhe vështirësitë që hasin gjatë realizimit të misionit dhe detyrave të secilit.
Një theks të veçantë Ministri i vuri nevojës imediate për të intensifikuar trajnimet dhe sidomos ato të karakterit bashkëpunues me struktura të tjera të sigurisë në vend. Gjithashtu, nënvizoi nevojën e padiskutueshme për të patur punonjës me integritet të lartë në të gjitha strukturat e sigurisë, të cilët nuk bënin në asnjë rrethanë kompromise për besnikërinë ndaj ligjit dhe ndaj përkushtimit për detyrën fisnike që i është besuar të kryejnë. “Profesionalizmi është çelësi i çdo suksesi”- citoi më tej Ministri gjatë fjalimit të tij në këtë takim.
Ai premtoi mbështetje të plotë për Institucionin e Gardës dhe zhvillimin e takimeve pasuese për analiza të mëtejshme të arritjeve.
Në zbatim të porosive të lëna nga Ministri, Komandanti Gjeneral Sako urdhëroi menjëherë të kryheshin detyra të posaçme në përmbushje të porosive.